top of page

Rithemelimi si thirrje Liri - Demokraci -Dinjitet!

Updated: Jul 21, 2024



“Në Zot Ne Besojmë”, “Rend dhe Progres”, “Liri, Barazi, Vllazëri”... janë të shumta shtetet që kanë një moto zyrtare. Ato të përdorura nga ShBA-të, Brazili dhe Franca janë ndër më të njohurat për përfshirjen e tyre të gjërë në monedhat, flamujt, simbolet e godinat publike. Një mënyrë kjo për të konfirmuar kontratën kombëtare që lidh institucionet me qytetarin sovran. Shtetin me individin. Të përditshmen e një kombi me historinë dhe të ardhmen e tij. Një bashkim vlerash, një vizion përbashkues, një qëndrim unifikues. Një moto që përmbledh esencën e asaj që një komb kërkon të pasqyrojë karshi vetvetes e botës. Është mesazhi që brezat i lënë trashëgimi njëri-tjetrit.


Prej vitit 1991, “Liri, demokraci” duket sikur ka qënë e vetmja moto shqiptare që arrinte të përmbushte disa nga kriteret e mësipërme. Ajo ishte kërkesa e çdo shqiptari përballë diktaturës, shtypjes e regjimit komunist. Ishte një thirrje përbashkuese, kombëtare, perëndimore.


Ajo ndante të shkuarën nga e ardhmja duke u shkruajtur në histori si kryefjala e ndryshimit, shpresës e fitores.


Por ajo mbeti e tillë, kombëtare e përbashkuese, vetëm në fillesat e saj duke krijuar përshtypjen se po kufizohej vit pas viti përreth një elektorati gjithnjë e më të ngushtë, kryesisht të djathtë.


Tranzicioni drejt “Lirisë e Demokracisë” mund të çonte drejt destinacionit final, por dhe drejt pikës së fillimit.


30 vite më pas, jo vetëm banorët e 5 majit por dhe ato të bregut po bëhen dëshmitarë sesi pronarët mund të rikthehen sërisht në “ish”. Shqiptarët po bëhen dëshmitarë sesi gazetarët mund të rihumbin sërisht fjalën e lirë. Sesi çmimet mund të rivendosën nga shteti ndërkohë që jugo-nostalgjia rikthehet nën një emërtim të ri.


Shohim sesi referendumet dhe vota e lirë zëvëndësohen nga një “Këshillim Kombëtar” organizuar nga një buro-politike e re e cila abuzon me çdo pasuri kombëtare, deri tek plehrat. E gjitha ndodh pasi një forcë politike arrin të rikthehet në një parti-shtet. Kjo është “Rilindja”. Shqipëria humbet kur ajo fiton. Shqiptarët po humbin tranzicionin e tyre drejt “Lirisë e Demokracisë”.


Humbësit janë të shumtë. Dhe nuk janë vetëm të një krahu politik. Madje disa nuk ishin as të bllokut e as të burgut.


Tranzicioni i la mes katër rrugëve pa arsim të lartë e pa trashëgimi familjare pasi komunizmi u kishte marrë gjithçka, aksesin në dije por dhe në prona.


Humbës ishin dhe ata sipërmarrës të rinj që paguanin nga dy taksa, atë zyrtare dhe atë nën tavolinë. Por dhe ndonjë intelektual fjala dhe mendimi i të cilit, tanimë të çliruara, nuk vlenin as për të mbyllur muajin. Ashtu siç mund të ketë humbur dhe ndonjë teknicien plot eksperiencë por që mbeti jashtë tregut të lirë, sepse nuk dinte të abuzonte, me lirinë e tij...


Me kalimin e viteve, një zonë gri u formua diku në mesin e elektoratit shqiptar.


Të zhgënjyer nga ajo çka tranzicioni po u ofronte, me qindra mijëra zgjodhën largimin nga Shqipëria. Të shumtë heshtën. Të tjerë, për të mbijetuar, zgjodhën kompromisin me korrupsionin, por dhe paktin me krimin. Pati dhe nga ata që votën e shitën nën justifikimin se të gjithë janë njësoj. Për ta, thirrja për “Liri dhe Demokraci” nuk po u siguronte atë që kishin ëndërruar.


Diçka mungonte. Këtë mangësi, “Rilindja” e plotësoi duke u imponuar me dhunë, para e krim.


Nën dritën e shpopullimit të jashtëzakonshëm të viteve të fundit, thirrja për “Liri Demokraci” kërkon një përditësim.


Shqiptarët duket se mendojnë se vlen më shumë të jetosh me dinjitet si një emigrant jashtë vendit, sesa si një qytetar i poshtëruar në vendlindjen tënde.


Ata shpresonin se demokracia do të sillte lirinë, e se mbi këtë të fundit, do të ndërtohej një model shoqëror që do të siguronte kushte jetesë më të mira, një shpërblim i drejtë e standarte më të larta.


Një model ndërtuar mbi meritokracinë, të drejtën pronësore e atë intelektuale, mbi shtetin e të drejtës e barazinë para ligjit. Ata kërkonin një shtet që respektonte, dhe një treg që shpërblente. Sot po u ofrohet një shtet që shtyp, dhe një treg që mashtron. A nuk është kjo një rilindje?


“Liri, Demokraci, dhe Dinjitet” do të thotë rithemelimi i një lëvizjeje kombëtare ashtu si ajo e viteve 90.


Është vijimi natyral i një ndër momenteve më kulminante të historisë kombëtare. Është dhjetori i dytë. Është demokratizimi i dytë.


Një lëvizje rithemeluese që jep garanci të padiskutueshme se ambiciet që nxisin shqiptarët të emigrojnë mund të realizohen këtu, në vendlindjen e tyre.


Kërkesa për “Dinjitet” është refuzimi që për të rritur mirëqënien individuale, rruga e vetme është droga e korrupsioni.


Është refuzimi për të pranuar se fëmijët tanë nuk mund të marrin arsimin, shëndetësinë dhe jetesën që meritojnë sepse taksat tona vidhen nga ata që supozohen të na shërbejnë. Është refuzimi për të pranuar talljen me pensionet që nuk mjaftojnë për bukën e përditshme, e jo më për ilaçet e gjyshërve tanë. Kush ka dinjitet, refuzon që familja e tij të vidhet siç po ndodh aktualisht në Shqipëri.


“Liri, Demokraci, dhe Dinjitet” është refuzimi për të pranuar imoralen si shëmbull suksesi, në politikë, art por dhe biznes.


Është refuzimi i shqiptarëve për produkte ‘buono per Albania’ që i paguajmë me çmim sa fqinjët europianë por që fitojnë katër herë më shumë.


Është refuzimi i naftës më të shtrenjtë në Europë, por njëkohësisht asaj që ka cilësinë më të keqe.


Është refuzimi për të pranuar se importojmë 1 miliard euro në vit produkte ushqimore, ndërkohe toka shqiptare zbrazet nga rinia e saj.


Është refuzimi i një pengmarrjeje demokratike ku ata që duhet të na shërbejnë, emërohen nga kapaciteti i tyre për të financuar kryetarët e partive, për të grabitur shqiptarët e shkelur ligjet.


Rithemelimi i Partisë Demokratike e ka vendosur dinjitetin njerëzor të parin.


Çlirimi i fjalës së lirë ndaj kritikave të të parit, çlirimi i opozitës ndaj interesave okulte, çlirimi i anëtarësisë nga vota negative, janë të gjitha pjesë e një dinamike rithemeluese që duhet shtrirë dhe më tej.


Beteja për dinjitetin njerëzor ka marrë një dimension krejt tjetër teksa një shqiptar ka guxuar të besojë se mund marri drejtësi dhe përballë shtetit më të fuqishëm në botë. Drejtësia është arma më e fortë në rrugën drejt “Lirisë, Demokracisë dhe Dinjitetit”.


I njëjti standard nesër mund të ndiqet duke kërkuar drejtësi dhe përballë politikanit më të fuqishëm, përballë tregtarit më të madh, përballë kriminelit më të rrezikshëm. Reforma në drejtësi duhet mbështetur dhe më tej krah aleatëve tanë.


Etaloni i vetëm matës i suksesit të saj tanimë është botërisht i ditur. Pas dy ministrave, e treta e vërteta duhet të jetë arrestimi i krye-ministrit të tyre.


Shqiptarët kërkuan liri. E morrën me liberalizimin e tregjeve, të mediave, të sistemit arsimor dhe të lëvizjës së lirë drejt bashkimit europian. Kërkuan demokraci. Dy rotacionet paqësore të pushtetit pas zgjedhjeve të vitit 2005 dhe 2013 tregonin se kjo mund të ndodhte natyrshëm.


Partia Demokratike ka një kontribut të jashtëzakonshëm në secilin prej këtyre dy dimensioneve.


Shqiptarët tani kërkojnë dinjitet. Paga më të larta, ligje më të forta, standarte me cilësore. “Liri, Demokraci, dhe Dinjitet”, ky mund të jetë një ekulibër i ri për të sjellur së pari bashkimin, së dyti fitoren e së fundmi shpresën.

Comments


bottom of page