Pionerët e Lali Erit dhe pedo-politika
- Akil Kraja
- Jan 17, 2018
- 4 min read
Updated: Jul 20, 2024
Një video dhe një opinion i shkurtër, i një Këshilltari Bashkiak, që kërkon nga Bashkia e tij të ndalohet sa më parë abuzimi potencial me imazhin e fëmijëve të Tiranës. Por kush janë pionerët e "Lali Erit" dhe ku dallon propaganda pedo-politike nga një komunikim publik normal? Kjo është pyetja tejet delikate që kërkon t’i përgjigjet ky opinion.
Gjatë javëve të fundit të vitit të kaluar, dhe duke përfituar nga “qetësia politike” e festave të fundvitit, Kryebashkiaku Veliaj zhvilloi një seri takimesh të përditshme në zyrën e tij me grupe fëmijësh minorenë.
Takimet janë zhvilluar gjatë orarit zyrtar, brenda zyrës së Kryetarit të Bashkisë dhe janë promovuar si pjesë e aktiviteteve të përditshme të Kryetarit të Bashkisë. Po kështu, duket sikur fëmijët kanë qënë të shoqëruar nga mësuesit e tyre çka e fuqizon dhe më tej aspektin institucional të nismës. Takimet marrin si pasojë një natyre “publike” dhe jo “private” përderisa realizimi i tyre sigurohet nga taksapaguesit e Tiranës.
Gjatë këtyre takimeve, Veliaj u ofronte fëmijëve pjesëmarrës nga një “spilë”, të cilën ja vendoste vetë në kraharorin e tyre, dhe ku shkruhej “Takova Lali Erin”.
Ky gjest dhe ky mesazh, na kujton pa dashje kohën e pionerëve të Enver Hoxhës.
Në të dy rastet, dje gjatë regjimit komunist dhe sot, duket sikur fëmijët përdoren si “mesazherë” të liderit suprem. Ata përcjellin fjalën, mesazhet dhe frymën e tij.
Nëpërmjet spilës në kraharorët e tyre, fëmijët u thonë familjarëve të tyre se "takuan Lali Erin". Një mesazh ky në dukje i pafajshëm, por që mbetet thellësisht i huaj ndaj objektivave edukativo-shëndetësor që jemi mësuar të dëgjojmë teksa flasim për fëmijë minoren. Mesazhi “takova Lali Erin” nuk mbart në një lexim sipërfaqësor asnjë mesazh arsimor, sportiv, vlerash familjare, edukate shoqërore apo dhe dietetike etj.
Fëmijet kështu nuk bëjnë asgjë tjetër veçse shfrytëzohen si një objekt komunikimi ku përfituesi i vetëm është “objekti” i mesazhit (Lali Eri), dhe jo fëmija “përcjellës” i mesazhit (Takova Lali Erin).
Për ta thjeshtuar më tej thelbin e kësaj analize, ta zëmë se mesazhi do të ishte : “Pastrova klasën”. Në këtë sens objekti dhe përfituesi i mesazhit është vetë fëmija. Klasa është pjesë e të përditshmes së tij fëminore dhe aksioni “pastrova” ka një konotacion edukativ ku autorësia dhe përfitimi i mbetet tërësisht fëmijës.
Thelbi i këtij opinioni qëndron pra tek frika se fëmijët po shfrytëzohen për arsye propagande politike ku përfitues ekskluziv është personazhi politik dhe jo fëmija. Kjo është ajo çka mund të quhet “pedo-politikë”.
Spila “Takova Lali Erin” në vetvete ngjan thellësisht me atë çka “shalli” i kuq komunist ishte për pionerët e vegjël të regjimit të kaluar. Po kështu, emërtimi “Lali Eri” i ngjan thellësisht emërtimit të regjimeve autoritare lindore ku diktatorët quheshin “baballarë të kombit” apo “xhaxhi” me qëllim për të “zbutur”, “familjarizuar”, “infantilizuar” makabritetin që fshihte në të përditshmen autoritarizmi komunist.
Këto strategji duket sikur synojnë që me pafajësinë e fëmijëve, të shfajësojnë çdo fajësi potenciale të liderëve suprem. Duket sikur kërkohet që me imazhin e fëmijëve, të pastrohet imazhi i tyre.
Ashtu si dje, fëmijët, dhe bashkë me to dhe familjarët e tyre, synohet të kthehen me dashje apo pa-dashje në dishepuj të liderit suprem. Teksa në sipërfaqe çdo familjar do të krenohej për një foto të vogëlusheve të tyre me një lider, në rrafshin moral kjo “krenari” e përkohshme përbën një cënim të thellë të edukimit fëminor pasi mbart një dozë të madhe indoktrinimi ideologjik. Me fjalë të tjera, bëhet fjalë për një edukim të sforcuar dhe jo natyral duke krijuar bindje të rreme tek fëmijët.
Spila “Takova Lali Erin” përmban një mesazh thellësisht narçisist (admirimi ndaj vetevetes) bazuar në “kultin e liderit” ku lideri suprem promovon vetveten si një “shëmbull” vlerash për t’u ndjekur.
Si një recidivist i pakorrigjueshëm, dhe ashtu siç bëri me fëmijën rom të sëmurë në vitin 2013 kur ishte Ministër i Mirëqënies Sociale, duket sikur Kryebashkiaku Veliaj kërkon të lartësojë dhe më tej kultin e individit të tij duke përdorur imazhin e fëmijëve.
Kryebashkiaku Veliaj kërkon të ndërtojë me çdo kusht imazhin e një "çuni të mirë", e një "njeriu normal", e një "djali të ndershëm". Nga ku dhe angazhimi atipik në veshje e në pulovra sportive, gazmorë, me ngjyra... Një njeri i tillë, kaq sportiv dhe që i do kaq shumë fëmijët, nuk mund të bëjë "biznes" me plehrat dhe betonizimin e qytetit. Ky është mesazhi "propagandistik" që Veliaj kërkon të indoktrinojë në subkonshiencën e opinionit publik duke shfrytëzuar fëmijët si “përcjellës” apo “objekt propagandistik”.
Në vetvete, dashuria e Veliajt për fëmijët duket sikur është veç një "fasadë" për të fshehur faktin që individi në fjalë drejton një bashki me 6000 punonjës, një buxhet prej dhjetëra milionë eurosh dhe është përgjegjës direkt apo indirekt për dhjetëra leje ndërtimi për kulla të dhëna gjatë këtij viti që po lëmë pas, ku më e fundit për ironi të fatit është tek kopshti i fëmijëve 7 xhuxhat.
Që prej marrjes së postit si Kryetar Bashkie, Këshilltarët e Partisë Demokratike në Këshillin Bashkiak nuk kanë reshtur në asnjë moment pa e ngritur këtë shqetësim, pavarësisht presioneve deri në gjyq siç ishte rasti më i fundit pas denoncimit bërë ndaj rritjes arbitrare të çmimit të ujit.
PS – Fjala “pedo” në greqishten e vjetër do të thotë “fëmijë i vogël”. Ajo përdoret si parashtesë në elementë që prekin fëmijët si reparti i “Pediatrisë” në spitale. “Pedo-politika” nënkupton si pasojë “politikën e fëmijëve”. Çdo fjalë tjetër që i vjen në mëndje lexuesit është diçka tjetër...

Comentários