Pas 13 qershorit, nevoja e një vizioni rithemelues të PD.
- Akil Kraja
- Jun 2, 2021
- 5 min read
Updated: Jul 21, 2024

Garë ka. Kandidatët po bëjnë çmos të fitojnë vëmendjen e anëtarësisë demokrate. Kjo konfirmohet nga një lloj konkurrence verbale që përshkallëzohet deri në sulme personale, abuzime, sado e gabueshme të jetë kjo gjë. Shehaj po bën një tur kombëtar mbështetur në një PR të fortë, Harxhi duket se ka një program të pasur e Kadillipo komunikon në media në mënyrë konstante. Ndërkohë, Lulzim Basha vijon komunikimin me anëtarësinë anembanë vendit, duke dëshmuar që nuk u fshihet përgjegjësive që i takojnë. Jo gjithçka është perfekte, por garë ka. Janë katër individë që shprehen për financat partiake, për primaret, për hapjen, për dorëheqje apo rizgjedhje, për qasjen ndaj humbjes apo fitores, për shtetin e së drejtës apo për partnerët strategjikë kombëtare. Kjo është e shëndetshme për PD-në, por dhe për kulturën politike në vend.
Nuk ka frikë për të folur, për mirë apo për keq. Nuancë e pluralizmit politik dhe të një artikulimi të lirë, pa të cilin nuk ka demokraci. Sigurisht, mbase nevojitej më shumë kohë e burimet partiake të ishin më proporcionale, por thelbi qëndron që PD po krijon një precedent demokratik kombëtar, shumë larg nga çfarë ofron pala tjetër, i cili vlen të përmirësohet e të zhvillohet më tej. Por që ky precedent pozitiv të zërë vend, që PD të dalë më e bashkuar e më e fortë nga kjo garë, me qëllim që masakra e 25 prillit të mos ripërsëritet, ka nevojë të shkohet përtej. Pas 13 qershorit, qartazi nevojitet një rishikim të asaj çfarë PD përfaqëson.
Rruga e rikthimit të PD në pushtet kalon nëpërmjet zgjedhjeve. Zgjedhje do të thotë që votuesi të ndihet i përfaqësuar. Një ndër pengesat është shitblerja e votës në shkallë të gjerë nga një makineri e sprovuar prej vitesh tashmë. Në zgjedhjet e ardhshme, paratë e drogës dhe të korrupsionit do të jenë sërish aty, më shumë. Por le ta pranojmë, shitblerja ka dy drejtime. Blerësin dhe shitësin: pronarë që presin prej vitesh një legalizim; rrogëtare të trembur për vendin e punës; familje që druajnë mos humbin paratë e tërmetit; por dhe votues të varfër që e vlerësojnë votën vetëm disa dhjetëra euro. Ata janë bashkëkombës, viktima të keqqeverisjes dhe të spirales së varfërimit, qytetarë të lodhur nga politika, të rinj që synojnë vetëm emigrimin.
Që PD të vijë në pushtet, duhet që çdo shqiptar të ndihet i përfaqësuar, përfshi të sipërpërmendurit. Blerësit e votës do të jenë gjithmonë aty për këtë grupim dhe PD nuk mund të bëjë aleancë me të keqen që ta largojë atë. Nuk do të ishte më demokratike. Ndaj duke filluar e nesërmja e 13 qershorit, nisma e parë e saj duhet të jetë ndërgjegjësimi, edukimi, ndërtimi i frymës dhe i besimit se vendi ynë mund të përjetojë një demokratizim të dytë, të përmasave të viteve ‘90. Qytetarët duhet të binden se forcat politike nuk janë njësoj dhe se kundërshtari nuk mundet me standarde që nuk i aplikon dot vetë. Shqiptarët duhet të shohin se PD di të rinovohet, se të zgjedhurit demokratë kanë energjinë dhe idealizmin për të luftuar në shërbim të kauzave të tyre, për secilin prej tyre, pavarësisht kostove. Unë besoj që çdo i zgjedhur i PD-së mund ta bëjë këtë gjë pasi e njoh secilin prej tyre.
Një përfaqësim më cilësor nënkupton qartazi nevojën për një zgjerim të boshtit përfaqësues. Ish-pronarët? Përveç tyre, Shqipëria ka sot me mijëra pronarë, të drejtat e të cilëve janë shkelur ose janë në rrezik shtetëzimi nga një apo një tjetër projekt investimi strategjik. Ish-të përndjekurit? Drejtësia për ta nuk u vendos kurrë plotësisht, por ka me mijëra mësues, policë, nëpunës, gazetarë e sipërmarrës, liritë politike të të cilëve janë marrë aktualisht peng nga presioni i një pushteti abuziv. Ish-studentët e dhjetorit ‘90? Edhe pse mbeten një frymëzim historik dhe unikal, janë të panumërt të rinjtë që mendojnë sot se një rrugë ‘Anglie’ vlen më shumë se një diplomë, ndërkohë të diplomuarit konstatojnë se pagat në Shqipëri janë tashmë më të ulëta se në Kosovë. Një komb që nuk mëson nga gabimet e shkuara do t’i ripërsërisë ato. Kjo po ndodh me Shqipërinë. PD duhet të zgjerojë shtratin elektoral të saj. Votuesi shqiptar dhe grupimet e sipërpërmendura janë të lodhur nga politika, nga media dhe artikulimi publik. Ka nevojë emergjente për një PD që arrin të flasë dhe të dëgjohet nga anëtarët, por dhe nga socialistët, nga elektorati gri, nga votuesi urban apo ai rural, nga qytetari i mirarsimuar apo nga shtresa e mesme dhe ajo popullore. Në një shoqëri post’tranzicion ku humbësit e djeshëm janë fituesit e sotëm, PD duhet të shkëputet disi nga modeli i viteve 90 apo nga pozicioni konfortabël i përkujtimit të sukseseve të shkuara dhe të jetë në një aksion elektoral konstant, të çdo dite, duke u investuar dhe më tej në rritjen e atraktivitetit e inovacionin politik, siç bëri me primaret e vitit të kaluar apo me garën aktuale për Kryetarin e Partisë.
Nga teoria të kalojmë në praktikë. Për çdo votues dhe grupim, për çdo interes që mund të përfaqësohet politikisht, kërkohen akte kuraje, gjeste lidershipi, simbole estetike, ngjarje mediatike, veprime politike, produkte komunikimi që godasin. Akti politik duhet të shohë sa më shumë drejt së ardhmes, jo përkujtimit; drejt praktikës më të mirë, jo përkatësisë; drejt zgjidhjes së ofruar, jo autorësisë. Qendra e veprimit pas 13 qershorit duhet të jetë qytetari dhe e përditshmja e tij, në rrafshin e problematikave, por dhe të vendimmarrjes duke i konsultuar më shpesh dhe më cilësisht, si me referendume të brendshme, për qëndrimet apo alternativat programore.
Krijimi i PD-tv, i një forumi për moshën e tretë apo dhe për fermerët, organizimi i disa kuvendeve kombëtare sipas traditës shqiptare, rritja e cilësisë së debatit të brendshëm në veçanti në këshillin kombëtar, përthithja e grupimeve, garantimi i garës dhe të primareve për çdo nivel, fuqizimi i degëve në diasporë etj., janë vetëm disa hapa fillestarë në këtë drejtim. Duhet t’i themi po bashkëqeverisjes, pa asnjë frikë. Por jo asaj me Ramën, por bashkëqeverisjes me shqiptarët: të propozojmë sa më shumë projektligje në shërbim të tyre, përpos denoncimeve të çdo abuzimi dhe të gëzojmë nëse arrijmë të impaktojmë sadopak pozitivisht për vendin. Denoncimi i masakrës së 25 prillit duhet të vazhdojë ashtu si dhe kërkesa për rishikimin e hartës territoriale e të sistemit zgjedhor, PD mund të rikthejë në parlament rivotimin e ligjit të vetimit të politikanëve. Janë të shumta nismat që mund të ndërmerren.
Çfarë nevojitet që të gjitha këto të kryhen me sukses? Mbase duhet filluar që nga rishkrimi i statutit të Partisë Demokratike, ofrimi i një bashkimi rreth idealeve të vjetra në shërbim të sfidave të reja. Mbase duhet hartuar një Kartë Shqiptare për Demokracinë e Zhvillimin, një formë shkëputjeje nga e kaluara nëpërmjet prezantimit të ambicieve, të një vizioni dhe të alternative ideologjike të përditësuar se ku po shkojmë: zgjidhjen për Shqipërinë e madhe të shekullit të 21-të. Në vitet ‘90 u fituan të drejtat politike, po sot cilat janë të drejtat që synojnë shqiptarët? A ka nevojë të shkëputemi nga artikulimi post- ‘90, postkomunist dhe të prezantojmë një vizion të ri për zhvillimin e mirëqenien e vendit? Kush përfitoi realisht nga tranzicioni? A është përfitimi i ndarë sipas pritshmërive të qytetarëve? A ka pasur të humbur? Ndërkohë që integrimi euro-atlantik duhet të mbetet një referim kombëtar, a ka vallë nevojë për një rikontekstualizim në përmbajtje përderisa tanimë njerëzit synojnë Europën e standardeve e të shërbimeve, dhe jo vetëm Europën politike? Dhe mbi të gjitha, sepse shqiptarët europianë janë tashmë mbi 1 milion. PD duhet të ofrojë alternativën e saj sesi mund të shkëpusim njëherë e përgjithmonë forcën e shtetit nga influenca e partive politike; sesi mund të ndërtojmë një shtet transparent që ndëshkon korrupsionin; sesi do të arrijmë një Shqipëri eksportuese dhe digjitale; një shtet të qytetarëve, por dhe të emigrantëve; një Shqipëri që nuk braktiset por zgjidhet; një vendlindje që rritet, jo një vendplakjeje për pushues të huaj. Dhe ky nuk është program elektoral që shpaloset pak javë para ditës së votimit. Kjo mund të jetë pse-ja e të përditshmes së PD-së, pas 13 qershorit, çdo ditë.
Comments