Modeli i anti-heronjve Veliaj & Tahiri
- Akil Kraja
- Nov 5, 2017
- 4 min read
Updated: Jul 21, 2024

Nën dritën skandaleve të njëpasnjëshme, bindja tanimë është pothuajse e plotë që ish-Ministri i brendshëm, Saimir Tahiri, ka përfituar dhe ka qënë bashkëpunëtor i skemës kriminale të kanabizimit të vendit gjatë katër viteve të shkuara. Ish-ministri dikur hero, tanimë është kthyer në një anti-hero. E vërteta e sotme zbulon gënjeshtrën e djeshme.
Partia Socialiste humbi një hero që duhet zëvendësuar sa më parë. A mund të ketë politikë pa heronj për t’u idealizuar, duartrokitur, votuar, ndjekur? Sipas arsyetimit se i mbyturi të mbyt, Rama po ikën së bashku me Tahirin. Ata janë sot e shkuara, ndërkohë Veliaj shihet si i vetmi i mbijetuar. Ai është sot krye-heroi i “Rilindjes”, shpresa e fundit e partisë.
Por realiteti është krejt tjetër. Ashtu si Tahiri, dhe Veliaj s’është veçse një anti-hero.
Veliaj është Kryetari i Bashkisë nën drejtimin e të cilit vdiq 17-vjeçari Ardit Gjoklaj, teksa punonte në Sharrë në të zezë për të blerë librat e shkollës. Një vdekje që ende sot e kësaj dite, është tërësisht e mohuar nga ai, ndërkohë që Sharrën vazhdon t’a paraqesë si një histori suksesi. Ky është Veliaj i kullave 40 katëshe dhe pse premtoi moratorium; Veliaj i inceneratorit të mbetjeve; Veliaj i ri-kioskëzimit të Tiranës, i tarifave të rritura për ujë, transport e pastrim; Veliaj i fasadave por dhe i konçesioneve për kompani nën-sekuestro; Veliaj i dhunës ndaj shitësve ambulantë; Veliaj i sheshit 20milion eurosh; Veliaj i dasmave në kështjella të financuara nga kursimet e mamasë... Si Tahiri, Veliaj veç gënjen.
Teksa po bien njëri pas tjetrit, heroi i “Rilindjes” po del një anti-hero.
Me rënien e Tahirit, ra i gjithë miti propagandistik i virtyteve të modelit qeverisës Rama. Përballja me realitetin italian rrëzoi përrallën shqiptare të “Rilindjes”. Një përrallë ku heroi doli të jetë një kriminel, mashtrues, i korruptuar, një shkelës banal i ligjit, një i droguar me vese e jetë të dyfishta.
E njëjta situatë dyzimi dhe në administratën publike. Heronjtë e të bërit shtet po dalin njëri pas tjetrës anti-reformistë, amatorë e zhvatës. Për katër vite me rradhë ata paskan qenë shkaku kryesor që reformat nuk ecnin në drejtimin e duhur. Si t’i lexojmë ndryshe spastrimet dhe dënimet kolektive të drejtorëve, imponimin e dorëheqjeve nën trysninë e pseudo-denoncimeve anonime, akuzat se tepsinë e paskan bërë vetëm ata poshtë, nënpunësit civilë? Mos vallë, krye-prijësi i luftës rilindase nënkupton që betejën e të bërit shtet e humbi për shkak të ushtarëve të tij? Kjo do të ishte një sjellje burracake, një sjelle tipike anti-heroi, apo jo?
Këtu është dhe burimi i kësaj situate. Të dy, si Tahiri e Veliaj, kërkuan të personifikonin një realitet të gënjeshtërt i cili ekziston vetëm në rrëfimet propagandistike të qeverisjes Rama. Heroi Tahiri, ashtu si heroi Veliaj, ishin një mashtrim bazuar mbi mashtrime. Modeli i tyre politik ishte një “skemë ponzi” ndërtuar mbi pazare dhe interesa okulte. Mjafton një kushëri apo një shofer mëndje-lehtë, dhe skema piramidale e këtyre anti-heronjve politikë bie menjëherë.
Ngjashmëritë mes Tahirit dhe Veliajt janë të mëdha.
1) Politika e “përrallave”: Që të bëhesh hero, nevojitet një luftë dhe akte heroike, nevojitet një mit, një legjendë, një histori trimërie, nevojiten sakrifica. Ndaj si Tahiri dhe Veliaj ndërtuan secili historitë e tyre. Njëri u bë hero mbi përrallën e luftës ndaj kanabisit, tjetri mbi përrallën e të bërit punë në Tiranë. Ndërkohë të dy ishin të kapur njëri nga mafia e kanabisit, tjetri nga mafia e ndërtimit. Njëra dorë lan tjetrën, ndërkohë që fitimet e kanabisit lahen në beton.
2) Politika e “super-starëve”: dy heronjtë e Rilindjes abuzuan me imazhin publik të pozicioneve që ata mbulonin duke çbërë institucionin dhe glorifikuar personin. Trupi i tyre u kthye në një objekt fetishizmi nëpërmjet bluzave me logo “supermeni” apo përdorimit si dekor të fëmijëve e të uniformave blu. Me kronika të stisura e të realizuara nga stafet e tyre PR, njëri filmohej me xhinse në luftën ndaj kanabisit në terren, tjetri me këmisha sportive në kantieret e Tiranës ndërkohë që ndodhet jashtë shteti prej javësh. Si Tahiri ashtu dhe Veliaj, kanë bërë gjithçka që të perceptohen si heronj “super-star”.
3) Politika e “çensurës”: Intervista e Zaganit ashtu si dhe reportazhi investigues mbi skandalin e Sharrës, janë dy shembujt më flagrant të çensurës ushtruar nga Tahiri dhe Veliaj. Njëri duke siguruar bashkëpunimin e policisë, tjetri lejet e ndërtimit, të dy arritën të çensuronin çdo zë kritik ndaj tyre në mediat shqiptare. Nën petkun e politikanëve të rinj e modernë, ata i bënin gazetarët të pranonin pa hezitime ftesat e tyre për udhëtime jashtë shteti apo për udhëtime me helikopter. Gazetarët në këmbim kthenin në “lajm” dhe detyrat më bazike për të cilën Tahiri e Veliaj paguheshin nga taksat tona, duke humbur kështu çdo pavarësi editoriale, etikë profesionale apo sens moral në shërbim të të vërtetës.
4) Politika e “fasadës” : pjesë e përrallës së përgjithshme të “Rilindjes”, dy heronjtë Tahiri e Veliaj u bënë avoketërit më të zjarrtë të politikës së fasadave të qeverisjes Rama. Duke bërë kështu, ata përfituan për vite të tëra imunitetin e plotë politik brenda PS-së. Në ndryshim nga Blushi apo dhe nga personalitete të larta socialiste të cilët kanë shprehur herë pas here dhe kritika ndaj Ramës, dy heronjtë super-star nuk kanë guxuar asnjëherë të vetme të thonë një gjysëm-fjale mbi kursin e gabuar të “Rilindjes urbane”, për investimet miliona euroshe në palma që thahen, mbi futjen e ligjit të importit të mbetjeve, për mungesën e fondeve për rrugët kombëtare, për lëngimin e ekonomisë apo eksodin masiv të shqiptarëve. Bashkëfajësia e Tahirit dhe Velijt është e plotë në çdo dështim të qeverisjes Rama.
Pasi kalon përtej përrallës, zhvesh petkun e super-starit, heq censurën dhe sheh përtej fasadave, realiteti është krejt tjetër. Tahiri dhe Veliaj u ofruan elektoratit shqiptar si heronj ndërkohe e vërteta rezulton të jetë tmerrësisht e zymtë, pothuajse e pabesueshme, meskine, kriminale e korruptive në nivele skandaloze. Heronjtë rezultuan anti-heronj, përfaqësues të nivelit më të ulët e banal të politikës, shfrytëzues deri në çmenduri të posteve të tyre ku njëri rezulton bashkëpunëtor i krimit që duhet ta luftonte, ndërkohë tjetri zhvatës i qytetit që duhet t’i shërbente. Nuk është e largët dita kur skandali Tahiri do të ndiqet dhe nga skandali Veliaj, ata janë të dy e njëjta farë.
Comments